Në kuadër të zbatimit të projektit “Të rinjtë kundër korrupsionit”, i financuar nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), Instituti Shqiptar për Çështje Publike (AIPA) ka vijuar aktivitetet me komponentin e aktivizmit rinor, duke fuqizuar më tej rolin e të rinjve në ndërgjegjësimin dhe luftën kundër korrupsionit.
Gjatë muajve shkurt–mars, në shkollat e mesme të përfshira në projekt në qytetet Tiranë, Fier, Pogradec, Sarandë, Dibër, Mat, Durrës, Kukës, Lushnje dhe Prrenjas, janë zhvilluar aktivitete kreative dhe ndërgjegjësuese, ku nxënësit janë angazhuar përmes prezantimeve, eseve dhe pikturave me mesazhe të qarta kundër korrupsionit.
Përmes këtyre aktiviteteve, të rinjtë kanë shprehur mendimet dhe qëndrimet e tyre mbi rëndësinë e transparencës, drejtësisë dhe integritetit, duke përdorur artin si një mjet të fuqishëm komunikimi dhe sensibilizimi. Punimet e realizuara, veçanërisht pikturat, pasqyrojnë qartë refuzimin e korrupsionit dhe thirrjen për veprim qytetar, duke përcjellë mesazhe si “Stop korrupsionit”, “Mos hesht – thuaj stop” dhe “Drejtësia dhe integriteti janë vlera”.
Angazhimi i mbi 70 të rinjve në këto aktivitete dëshmon jo vetëm rritjen e ndërgjegjësimit, por edhe gatishmërinë e tyre për t’u bërë pjesë aktive e ndryshimit në komunitetet ku jetojnë. Nëpërmjet bashkëpunimit në grup dhe prezantimeve publike, nxënësit kanë ndarë mesazhet e tyre me bashkëmoshatarët, duke krijuar një ndikim pozitiv në mjedisin shkollor dhe më gjerë.
Ky komponent i projektit synon të inkurajojë të rinjtë që të mos jenë indiferentë ndaj padrejtësive, por të reagojnë dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe transparente, në përputhje me qëllimin kryesor të projektit për fuqizimin e tyre si aktorë të ndryshimit shoqëror .
Aktivitetet e aktivizmit rinor përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një kulture qytetare të përgjegjshme dhe të qëndrueshme, ku të rinjtë jo vetëm ndërgjegjësohen, por edhe veprojnë kundër korrupsionit.



