Takimi i Tretë Ndërrajonal i Projektit “RuralProof” – Interreg Europe, Larisa, Greqi

Në kuadër të projektit Interreg Europe “RuralProof”, u zhvillua në Larisa, Greqi, Takimi i 3-të Ndërrajonal i partnerëve të projektit, me pjesëmarrjen e institucioneve dhe organizatave partnere nga disa vende europiane. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe AIPA – Albanian Institute of Public Affairs, si partner i projektit.

Takimi u fokusua në përmbylljen e aktiviteteve të Fazës së Parë të projektit, të lidhura me analizën e sfidave strukturore të zonave rurale, identifikimin e boshllëqeve në politikat ekzistuese dhe përcaktimin e objektivave zhvillimore për rajonet partnere. Gjatë sesioneve të punës u prezantuan gjetjet kryesore të analizave territoriale dhe studimeve të rasteve, si dhe u diskutuan qasje të reja për zhvillimin rural, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e politikave publike.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua përfshirjes aktive të stakeholderëve lokalë dhe rajonalë në procesin e hartimit dhe zbatimit të politikave zhvillimore, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe qasjeve “place-based” për zhvillimin e qëndrueshëm rural.

Në ditën e dytë të aktivitetit, partnerët zhvilluan një vizitë studimore në zonën Meteora–Trikala, ku u njohën me praktika konkrete të zbatimit të qasjes LEADER/CLLD dhe me modele të integruara të zhvillimit lokal rural.

Projekti RuralProof synon fuqizimin e rajoneve europiane përmes transformimit të politikave territoriale dhe krijimit të mekanizmave më efektivë për adresimin e sfidave të zonave rurale.