Korrupsioni vijon të mbetet një nga sfidat kryesore për zhvillimin e shoqërisë shqiptare, duke ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si të rinjtë e shohin të ardhmen e tyre dhe në besimin ndaj meritokracisë dhe barazisë së mundësive. Në këtë kuadër, Instituti Shqiptar për Çështje Publike (AIPA) po zbaton projektin “Të rinjtë kundër korrupsionit”, i financuar nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), me synimin për të fuqizuar të rinjtë përmes edukimit etik dhe angazhimit qytetar.
Faza e parë e projektit është fokusuar në përfshirjen e drejtpërdrejtë të 250 nxënësve të shkollave të mesme në Tiranë, Fier, Pogradec, Sarandë, Dibër, Mat, Durrës, Kukës, Lushnje dhe Prrenjas, përmes takimeve informuese dhe dialogut të hapur mbi rolin e të rinjve në luftën kundër korrupsionit. Gjatë këtyre takimeve, nxënësit janë njohur me objektivat e projektit dhe me mënyrat konkrete për t’u angazhuar në iniciativa që promovojnë transparencën, qeverisjen e mirë dhe pjesëmarrjen aktive qytetare.
Si pjesë e kësaj faze, është realizuar edhe shpërndarja e një pyetësori mbi perceptimin e të rinjve për korrupsionin dhe qeverisjen, duke krijuar një bazë të rëndësishme informacioni për zhvillimin e aktiviteteve të mëtejshme. Interesimi dhe angazhimi i nxënësve ka qenë i lartë, duke konfirmuar nevojën për iniciativa që vendosin të rinjtë në qendër të luftës kundër korrupsionit.
Faza e parë e projektit ka krijuar një bazë të fortë për vijimin e aktiviteteve pasuese, të cilat do të fokusohen në trajnimin dhe aktivizimin e të rinjve si promotorë të transparencës, integritetit dhe luftës kundër korrupsionit në komunitetet ku ata jetojnë dhe studiojnë.





