Pas përfundimit të fazës së parë të projektit “Të rinjtë kundër korrupsionit”, i financuar nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), Instituti Shqiptar për Çështje Publike (AIPA) ka vijuar zbatimin e projektit me fokus në trajnimet qytetare për të rinjtë, me synimin për të thelluar njohuritë dhe për të forcuar rolin e tyre në promovimin e qeverisjes së mirë dhe luftës kundër korrupsionit.
Gjatë muajit janar, janë zhvilluar trajnime në shkolla të mesme në qytetet Tiranë, Lushnje, Mat, Durrës, Fier, Kukës dhe Dibër, ku të rinjtë kanë marrë pjesë në sesione trajnuese të udhëhequra nga ekspertë të fushës. Trajnimet janë ndërtuar mbi module edukative që trajtojnë çështje të lidhura me qeverisjen, transparencën, antikorrupsionin dhe rëndësinë e angazhimit qytetar.
Përmes diskutimeve interaktive dhe shembujve praktikë, nxënësit janë inkurajuar të reflektojnë mbi rolin e tyre si qytetarë aktivë dhe mbi mënyrat konkrete për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më transparente dhe më të drejtë. Pjesëmarrja dhe interesi i treguar gjatë trajnimeve kanë qenë të larta, duke dëshmuar gatishmërinë e të rinjve për t’u përfshirë aktivisht në çështje që lidhen me të ardhmen e tyre dhe të komunitetit.
Si pjesë e këtij procesi, është realizuar edhe një post-pyetësor, i cili ka shërbyer për të vlerësuar ndikimin e trajnimeve dhe për të kuptuar ndryshimet në nivelin e njohurive dhe qëndrimeve të të rinjve mbi çështjet e qeverisjes dhe antikorrupsionit.
Zbatimi i trajnimeve qytetare do të vijojë gjatë muajit shkurt edhe në qytetet Pogradec, Prrenjas dhe Sarandë, duke zgjeruar më tej përfshirjen e të rinjve dhe ndikimin e projektit në nivel lokal.
Trajnimet qytetare përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të të rinjve si aktorë aktivë të ndryshimit shoqëror dhe krijojnë një bazë të qëndrueshme për fazat pasuese të projektit, të fokusuara në aktivizimin qytetar dhe nxitjen e iniciativave konkrete kundër korrupsionit.






